Lajmet e fundit

Dëmtimi i rëndë i mbrojtësit francez Samuel Umtiti ka vënë në alarm klubin e Barcelonës, që ka humbur kështu një nga shtyllat e repartit të prapavijës.
Mediat spanjolle dhe ato italiane raportuan se drejtuesit e klubit katalan po përgatisin një ofertë prej 85 milionë eurosh, për të marrë shërbimet e mbrojtësit sllovak të Interit, Milan Skriniar.
Drejtuesit e Barcelonës kërkuan Skriniarin edhe gjatë merkatos së verës, por oferta 60 milionë euroshe e tyre u refuzua prerazi nga klubi zikaltër, që sheh te sllovaku, liderin e repartit të prapavijës.
Ndryshimi në rregulloren e Ligës së Kampionëve, bën që Skriniar, nëse transferohet te Barcelona, të luajë me katalanët në fazën me eliminim të këtij kompeticioni, pavarësisht se ka luajtur edhe me Interin në fazën e grupeve.
Pikërisht për këtë arsye katalanët do të tentojnë të rrëmbejnë qendërmbrojtësin sllovak në merkaton e janarit, për të përforcuar një repart problematik në vitet e fundit dhe për të synuar triumfin në Ligën e Kampionëve.
Mbetet për t’u parë edhe reagimi i zikaltërve, që nuk kanë dëshirë të heqin dorë nga Skriniar, por oferta prej 85 milionë eurosh është tunduese dhe do t’i jepte mundësi Interit të linte pas njëherë e mirë problemet me Fair Play-n Financiar.