Lajmet e fundit

Disa banka komerciale që veprojnë në Kosovë, kohëve të fundit kanë shtrenjtuar tarifat për shërbime për klientët dhe bizneset, konkretisht tarifat në mirëmbajtjen e llogarive bankare.
Tarifat për mirëmbajtjen e llogarisë për biznese në 10 bankat komerciale fillojnë nga një deri në 20 euro në muaj, varësisht nga banka, por edhe shërbimet që ofrohen përmes pakove bankare.
Kjo tarifë po kundërshtohet nga afaristët dhe përfaqësuesit e bizneseve, përderisa zyrtarë të institucioneve financiare në vend, arsyetohen se tarifat posedojnë numër të madh të shërbimeve.
Në këto ndryshime për mirëmbajtje të shërbimeve për biznese është rritur shuma në 20 euro në muaj. Në këtë pako përfshihen 28 shërbime të ndryshme.
Por, afaristë të cilët janë klientë dhe kredimarrës në këto banka janë befasuar kur kanë kuptuar se do paguajnë deri në 20 euro në muaj, respektivisht 240 euro në vit.
Burimi, pronar i një lokali në qendër të Prishtinës, e konsideron të shtrenjtë tarifën pasi nuk i shfrytëzon shumicën e shërbimeve të ofruara, ndërkaq thotë se e ka të pamundur edhe të ndryshojë bankën, pasi siç thotë, ka për të paguar kredi edhe tre vjet radhazi.
“Bankat komerciale nga këto mbijetojnë. Por, tashmë shërbimet dhe tarifat i kanë rritur shumë, madje të papërballueshme për biznese të caktuara”, thotë ajo.
Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit vlerësojnë se tarifat për biznese janë shumë të larta dhe kjo është një ndër ankesat e shumta të bizneseve.
Ky shqetësim i bizneseve është përmendur edhe në hulumtimet e Aleancës Kosovare të Biznesit, tregon Agim Shahini kryetar në këtë asociacion ekonomik.
“Këto tarifa janë ngarkesa të panevojshme pwr shkak seatyre iu ofrohen shërbime që nuk mund ti shfrytëzojnë, kurse pagesat janë të obligueshme pavarësisht faktit se a shfrytëzohen ato”, tha Shahini.
Sidoqoftë, vetëm vitin e kaluar bankat komerciale kanë pas të hyra nga tarifat dhe komisionet mbi 55 milionë euro.