Lajmet e fundit

Sekretari Gjeneral i OKB-së Ban Ki-moon ka thënë se është tronditur nga pamjet ku policia hungareze po u hidhte gaz lot sjellës dhe ujë që t’i largonte emigrantët nga kufiri, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.
Ban ka deklaruar se një trajtim i tillë i azil kërkuesve është i papranueshëm.
Qindra emigrantë janë involvuar në përplasje në kufirin e Hungarisë dhe Serbisë, duke provuar që t’i kalojnë telat kufitarë.
Shumica prej tyre duan të shkojnë në Gjermani, gjë që ka shkaktuar qëndrime të ndryshme brenda vendeve të BE-së se si duhet përballuar kriza.
Hungaria ka mbrojtur veprimet e veta, duke thënë se 20 policë janë lënduar përderisa emigrantët po tentonin të kalonin kufirin përmes një porte, dhe një zëdhënës i ka akuzuar ata për përdorimin e fëmijëve si “mburoja njerëzore”.
Po ashtu edhe dy emigrantë janë lënduar në këtë përplasje, kanë deklaruar autoritetet serbe dhe ato hungareze.