Lajmet e fundit

Nënkryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, i cili njëherësh është edhe koordinatori i PS-së për rajonin e Korçës dhe Elbasanit, teksa ka zhvilluar një takim me strukturat socialiste në këtë qytet, është ndalur edhe tek çështja e dekriminalizimit. Balla tha se, problematikë në politikën shqiptare nuk janë ata që kanë kryer një vepër penale dhe janë dënuar, por ata njerëz si Arben Ristani, Lulzim Basha e të tjerë, të cilët kanë kryer sipas tij vepra penale dhe janë të vetëdijshëm për to.
“Unë mendoj që pjesë e këtij procesi duhet të jetë dhe adresimi i personave të hetuar, por të pagjykuar. Që është një problem tjetër në politikën shqiptare. Kemi rastin e Lulzim Bashës apo raste të tjera në politikë që janë persona të hetuar, të gjetur fajtor nga prokuroria, por për shkak të raporteve mjekësore apo të lejeve për jashtë shtetit i janë shmangur drejtësisë dhe nuk janë gjykuar”, u shpreh deputeti socialist. Balla tha se nuk e ka parë ende draftin e paraqitur në Kuvend nga PD-ja për dekriminalizimin, por tha se duhet të jetë i plotë dhe jo sa për show mediatik.
“Ne si Parti Socialiste kemi qenë shumë të qartë për këtë çështje dhe po e çojmë atë në hullinë zyrtare të zgjedhjes përmes një procedure që do të fillojë shumë shpejt në parlament. Pse jo edhe këtu nga Korça i bëj një pyetje Lulzim Bashës si do ta zgjidhësh këtë problem që ke të hapur me drejtësinë, kështu që edhe ky është një proces dekriminalizimi i domosdoshëm”, nënvizoi Balla. Deklaratat e deputetit të majtë u bënë pas takimit të mbajtur në qytetin e Korçës me strukturat./Shekulli.al