Lajmet e fundit

Projekti për ndërtimin e kompleksit turistik në Brezovicë, mund të mos përfundojë këtë vit siç ishte paraparë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ka deklaruar se për ndërtimin e resorit “Berzovica”, Qeveria e Kosovës është ende në kontakt me kompaninë investuese.
“Është një projekt që ka filluar në vitin 2012 e nuk dihet nëse do të përfundoj në këtë vit, e do të kishte një kosto të madhe nëse do të fillonte prej fillimit”, është shprehur ajo.
“Investitori ka pasur afatin e fundit më 31 maj, ka dorëzuar ofertën e fundit të dokumenteve më 31 maj në ora 7 e 50 pasdite. Paraprakisht ne patëm formuar një komision të ekspertëve që do të merret me analizën e kësaj oferte, nuk mund të them asgjë se ende nuk është bërë analiza”, është shprehur ajo.
Ajo thotë të mos e dijë me saktësi nëse kjo ofertë që i është paraqitur qeverisë me 31 maj, është serioze dhe për këtë arsye ka angazhuar ekspertë që do të bëjnë vlerësimin.
“Nuk e di a janë serioze a jo, nuk mund të paragjykoj, nga ajo që kam parë mund të them që janë serioze. Nuk i kemi të gjitha informatat a janë plotësuar të gjitha kushtet”.
Bajrami zotohet se nëse projekti “Brezovica” realizohet, do të jetë shumë profitabile për kosovarët sepse do të ketë shumë vende të reja të punës.
“Nëse oferta financiare përmbyllet atëherë do hapen vende të mëdha të punës, parasheh për një periudhë afat mesme të punësoj diku rreth 3 mijë punëtor”, ka deklaruar ajo.