Lajmet e fundit

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës qëndroi për një vizitë zyrtare Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bajram Gecaj, i cili u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Drejtori i Përgjithshëm z.Qalaj fillimisht e uroi z. Gecaj për pozitën e Zëvendësministrit, dhe njëkohësisht e njoftoi lidhur me angazhimet dhe aktivitetet policore që po ndërmerren, pas situatës dhe rrethanave të krijuara nga pandemia, coronavirusi COVID-19.
Qalaj ndër të tjera potencoi se konform urdhrit operativ të PK-së, janë duke u realizuar të gjitha aktivitetet dhe detyrat policore të cilat janë të harmonizuara sipas planit për gatishmëri dhe reagim.
Ndërsa Gecaj vlerësoi lartë rolin dhe punën profesionale të Policisë së Kosovës në tërësi, e në veçanti për angazhimet e pakursyera që kanë për qëllim bashkërendimin dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta ndërinstitucionale në sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e pandemisë COVID-19.
Zëvendësministri njëherit premtoi mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer të MBPAP-së, në fuqizimin dhe avancimin e Policisë së Kosovës, si një institucion mjaft i rëndësishëm në zbatimin dhe sundimin e ligjit në Kosovë.