Lajmet e fundit

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka thënë se gjendja e përgjithshme politike dhe e sigurisë në komunën e Mitrovicës është stabile dhe shumë më e mirë se në të kaluarën.
I pari i Mitrovicës këtë vlerësim e bëri gjatë mbledhjes së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të kryesuar nga drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj.
“Kur them stabile, e kam fjalën si për komunën që drejtohet nga unë, ashtu edhe për lagjet veriore ku jetojnë shqiptarët, të cilët në të kaluarën kishin mjaftë probleme të kësaj natyre, por që fatmirësisht, tani ato i kanë tejkaluar. Vet ata që jetojnë në këto lagje thonë se gjendja e sigurisë është shumë më e mirë se përpara dhe se ndjehen të qetë deh lëvizin e qarkullojnë pa probleme”, ka thënë ai
Sipas Bahtirit deri tek përmirësimi i përgjithshëm i gjendjes ka ardhur ndër të tjera edhe për shkak të bashkëpunimit të mirë të drejtuesve të të dyja komunave, të cilët janë angazhuar drejtpërsëdrejti për tejkalimin e problemeve dhe përafrimin e qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.
Të qetë, stabile e pa probleme të mëdha, gjendjen e sigurisë në komunë e vlerësoi edhe komandanti i stacionit jugor të policisë, Ahmet Gjosha.
Ky i fundit theksoi se bazuar në statistikat e policisë gjatë 11 muajve të këtij viti, veprat e përgjithshme që bien ndesh me ligjin kanë rënë për 15,92 për qind, veprat penale për 26.09 për qind dhe ato ekonomike 40,32 për qind, krahasuar me të njëjtën periodë të vitit të kaluar.
Ai ka folur edhe për masat që po i merr policia në prag të festave të fundvitit, për të shtuar sigurinë e qytetarëve, duke thënë se nëpër shkolla po organizohen ligjërata për rrezikun nga mjete pirroteknike, transmeton Klan Kosova.