Lajmet e fundit

Koalicioni i Agim Bahtirit nga Aleanca Kosova e Re me Lidhjen Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, duket se po i numëron ditët e fundit.
Në prapavijë gjërat janë duke ecur shpejt drejt lidhjes së një koalicioni të ri të AKR-së me PDK-në, por zyrtarisht kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri nuk e ka konfirmuar prishjen e koalicionit më LDK-në.
“Nuk ka ende konkrete asgjë, ende mbesim me të vjetrën”, tha Bahtiri kur u pyet nga KALLXO.com rreth koalicionit.
As kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Avni Kastrati, nuk e ka konfirmuar lidhjen e koalicionit me AKR-në, por e ka lënë një derë të hapur se diçka mund të ndodhë.
“PDK është e hapur për bashkëpunim më të gjitha subjektet, asnjëherë nuk ka qëndrim përjashtues por ndihmues dhe kështu do të jetë gjithmonë për të mirën e qytetarëve”, tha Kastrati.
Jozyrtarisht, burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se në rast të lidhjes me AKR-në, PDK do ta marrë nënkryetarin e komunës edhe katër drejtori komunale: Drejtorinë e Arsimit, atë të Shëndetësisë, Inspekcionin dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport.