Lajmet e fundit

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, e ka dënuar ashpër sulmin e një grupi të shqiptarëve ndaj dy të rinjve të përkatësisë rome që ndodhi mbrëmë në lagjen e romëve, përkatësisht në rrugën ‘Adem Voca’ në Mitrovicë.
Sipas deklaratave të përfaqësuesve të romëve, incidentin e kanë shkaktuar një grup i të rinjve shqiptarë, që së pari i kanë provokuar të rinjtë rom në lagje dhe më pastaj i kanë sulmuar me thikë dhe gjësende tjera të mprehta, bën të ditur zyra për media e komunës së Mitrovicës.
Raportohet se në incident janë lënduar Bajram Morava dhe Besnik Rushiti. Ky i fundit ka pësuar lëndime të rënda dhe po shërohet në QKUK në Prishtinë, ndërsa Morava ka pësuar po ashtu lëndime të rënda, por mjekët kanë vlerësuar se shërimi i tij mund të vazhdoje në shtëpi, andaj edhe lëshuar nga QKUK-ja, transmeton Klan Kosova.