Lajmet e fundit

Filmi "Babai" në regji të Visar Morinës do të shfaqet sot për media në kinemanë ABC.
Ky është një film artistik i metrazhit të gjatë i prodhuar nga NikoFilm, Gjermani, Produksioni Krusha, Kosovë, Skopje Film Studio, Maqedoni dhe Eaux Vives Productions, Francë që është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës si dhe produksione të tjera.
Pas sukseseve në Film Fest Munchen 2015 ku "Babai" i rrëmbeu katër çmime, skenari më i mirë, regjia më e mirë, aktorët kryesorë më të mirë dhe çmimin One Future World.
Ndërkaq në Festivalin Ndërkombëtar në Karlovy Vary ai e rrëmbeu çmimin Regjia më e mirë dhe Europe Cinema Label, e tash së voni edhe çmimin e shtatë aktori më i mirë në Festivalin e Filmit Avvantura në Zarë, Kosova është vendi i parë nga vendet e koproduksionit ku filmi do të shfaqet në kinema.
Ky film e shtjellon rrëfimin e Norit që e luan Val Maloku një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin rol ky i luajtur nga aktori Astrit Kabashi në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të.
Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.
Në film luajnë: Astrit Kabashi, Enver Petrovci, Adriana Matoshi, Aurita Agushi, Armend Ismajli, Alban Ukaj, Xhevdet Jashari etj. si dhe Val Maloku i cili paraqitet për herë të parë në film, transmeton Klan Kosova.