Lajmet e fundit

Ky në foto është Xhevahir Daci, babai i Almir Dacit ish-imamit të xhamisë së Leshnicës në Pogradec, që tashmë është bërë një nga drejtuesit e luftëtarëve shqiptar në Siri.
79 vjeçari Daci, kishte udhëtuar që në orët e para të mëngjesit për të qenë i pranishëm në seancën e parë gjyqësore ndaj djalit të tij, që gjykohet në mungesë për akuzën e terrorizmit.
Në sallën e gjyqit ai nuk u lejua të flasë, pasi trupa gjyqësore vendosi të shtyjë seancën për shkak se Policia e Shtetit nuk kishte bërë procedurat e mos gjetjes dhe largimit të Almir Dacit nga Shqipëria këtu e 4 vite më parë.
Në dalje të gjykatës, Xhevahir Daci tha se djali i tij është detyruar të largohet nga Shqipëria për shkak të gjendjes ekonomike.
Ai tha se djali i është larguar së bashku me familjen e tij drejt Sirisë pa lejen e prindërve.
Sipas babait, djali i tij nuk është terrorist, duke kujtuar edhe kohën kur ishte imam në zonën e Pogradecit.
Ish-imami i Leshnicës, Almir Daci dyshohet si një nga organizatorët dhe rekrutuesit kryesor të besimtarëve musliman që kanë përfunduar në Siri, krah pjesëtarëve të grupeve që OKB-ja i ka cilësuar terroriste. Ai do të gjykohet në mungesë në Shqipëri për 3 akuza, ku përfaqësohet nga avokati i caktuar nga gjykata.