Lajmet e fundit

Përveç prokurimit, në pikat tjera Kosova ka shënuar progres për liberalizimin e vizave, shkruan Gazeta Zëri.
Këtë, siç shkruan Zëri, pritet ta thotë edhe komisionari i Bashkimit Europian, Dimitris Avramopolous, kur ta vizitojë Kosovën.
Avramopolous pati paralajmëruar vizitë në Kosovë gjatë muajit shkurt, por pasi që institucionet vendore ishin vonuar me përmbushjen e tetë kritereve, ai pritet të vijë në Kosovë kah mesi i muajit prill.
Me disa vërejtje jo shumë serioze, shenjat e para se Kosova ka plotësuar edhe tetë rekomandimet për liberalizimin e vizave janë pozitive.
Përveç ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, janë edhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare që kanë pohuar një gjë të tillë.
Megjithatë, sipas ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, puna për vizat nuk përfundon me përmbushjen e tetë kritereve të fundit. Kosova duhet që urgjentisht të orientojë të gjithë kapacitetin e saj politik në lobim te shtetet e Bashkimit Evropian për shkak se është Këshilli i BE-së, si organi kryesor që duhet ta miratojë raportin për liberalizimin e vizave, bashkërisht me Komisionin Evropian.
E në këto dy institucione janë përfaqësuesit e pesë shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë, analistët politikë kanë përsëritur faktin se tensionet politike në vend, nuk po i bëjnë nder këtij procesi.