Lajmet e fundit

Zenka Pumper, koordinatore e hetimit në Dhomat e Specializuara, po vazhdon dëshminë e saj në seancën ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.
Pumper, e cila është dëshmitarja e parë, është përgjigjur pyetjeve të prokurores Valeria Bolici rreth “Paketës 2”, e cila përfshinte referenca ndaj intervistave të dëshmitarëve, të cilat ishin kryer nga Task Forca Speciale Hetimore dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Tutje, Pumper ka thënë se para 25 shtatorit 2020, nuk ka parë asnjë dokument nga ajo që e ka konsideruar pastaj si paketa 1, meqë sipas saj, nga kjo datë edhe është përfshirë në hetimin e kësaj çështje.
Dëshmitarja i është përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Hysni Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees.
Dëshmitarja Zenka Pumper ka thënë se dokumentet që i ka shqyrtuar dhe klasifikuar pastaj si paketa 1 ishin kopje.
Dëgjimi i dëshmitares së parë po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe kjo është dita e tretë e dëshmisë së saj. Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po marrin pjesë në seancë me prezencë fizike.
Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.