Lajmet e fundit

Avokati i Popullit ka publikuar sot Raportin me rekomandime drejtuar Ministrisë së Arsimit lidhur me shkarkimin nga pozita e Prorektores për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” në Prizren.
Në raport thuhet se zvarritja e procedurës në këtë rast ka ndodhur si pasojë e dështimit të kësaj ministrie për të trajtuar ankesën e ankueses ashtu siç e parasheh Ligji për Procedurën Administrative (LPA).
"Për më tepër, në Raport konstatohet se, Komisioni për Parashtresa dhe Ankesa i MASHT-it, përsëri në kundërshtim me LPA, trajton ankesën e palës si ankesë të ushtruar në emër të saj nga ana e Avokatit të Popullit".
"Duke e theksuar se zvarritja dhe jo-efikasiteti i procedurave sjellin në situata që janë në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit, parim ky i sanksionuar me aktet më të larta ligjore si dhe instrumentet ligjore ndërkombëtare, që autoritetet e Kosovës kanë për obligim t’i respektojnë pa përjashtim, Avokati i Popullit i rekomandon MASHT-it që të garantojë shqyrtimin e ankesave për të gjitha palët, brenda një afati të arsyeshëm kohor; Të shpallë të pavlefshëm aktin administrativ të nxjerrë nga Komisioni për Parashtresa dhe Ankesa, si dhe, në pajtim me ligjet në fuqi, për rastin konkret, të nxjerr akt administrativ në bazë të Ligjit për Procedurën Administrative", theksohet mes tjerash në raportin e Avokatit të Popullit, transmeton Klan Kosova.