Lajmet e fundit

Avokati i Popullit i Kosovës ka publikuar sot Raportin në lidhje me moszbatimin e vendimit të Trupit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës sipas të cilit ishte anuluar vendimi i kryetarit të Komunës së Parteshit që ka të bëjë me ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Avokati i Popullit thekson se vendimi i kryetarit të Parteshit, për shkarkimin e ankuesit nga pozita e asistentit administrativ të Kryesuesit të Kuvendit të Komunës është në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 2 të Udhëzimit Administrativ MAPL nr.02/2014 dhe MAP nr.01/2014 për caktimin e stafit mbështetës në komuna ku është paraparë që marrëdhënia e punës së stafit mbështetës/asistentit pushon me përfundimin e mandatit të Kryesuesit të Kuvendit.
Poashtu në raport konstatohet se veprimet e Komunës së Parteshit, përkatësisht vendimi i kryetarit të komunës, ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara me Kushtetutë.
Përmes këtij Raporti, Avokati i Popullit rekomandon që Kryetari i Komunës së Parteshit të ndërmerr masa të menjëhershme për zbatimin e vendimit të Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, transmeton Klan Kosova.