Lajmet e fundit

Anëtari i Ekipit Dialogues për bisedime me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë se platforma e finalizuar për dialogun sot iu është dorëzuar tre krerëve më të lartë institucionalë, Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit.
Deri të premten kjo platformë do t’i dorëzohet edhe Kuvendit të Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Është bërë punë e madhe në këtë dokument që i ka munguar Kosovës. Me këtë platformë nuk ka paqartësi për pozicionin e Kosovës ndaj çështjeve të ndryshme.. Nuk ka pas asnjëherë konfrontime apo paqartësi”, ka thënë Arifi, njofton Klan Kosova.
“Bazamenti i platformës buron nga Kushtetua e Republikës së Kosovës. Është platformë kushtetuese ku garantohet integriteti dhe sovraniteti i Kosovës. Asnjë paragraf i saj nuk e befason qytetarin e Kosovës. Janë qëndrime të njohura që burojnë nga pothuajse të gjitha subjektet politike. Janë pozicione të qarta që kanë karakter obligues ndaj çdo drejtuesi shtetëror. Kjo platformë është zëri i Kosovës. Ky dokument është zëri i Kosovës”, është shprehur ai në Info Magazine.
Arifi ka përmendur se ka ekzistuar një unitet i plotë në përmbajtjen e platformës.
Ai ka thënë se pret që kësaj platformë përkrahje t’i japë edhe Presidenti Hashim Thaçi.
“Nuk presim problem nga Presidenti, pasi që në ndërtimin e platformës ka marrë pjesë edhe Blerim Shala. Besoj se do të kalojë edhe në Kuvend”.