Lajmet e fundit

Avdullah Hoti sot, sipas protokollit shtetëror, do t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit të zgjedhur Albin Kurti.
Ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës pritet të ndodhë gjatë ditës, derisa akoma nuk është bërë e ditur ora e saktë.
Hoti mbrëmë, në një konferencë për media pasi u zgjodh qeveria e re, ka paralajmëruar se do t'ia dorëzojë detyrën pasardhësit të tij duke thënë se një gjë e tillë duhet të bëhet standard.
Ai tha po ashtu se me rastin e dorëzimit të detyrës, Kurtit do t’ia dorëzojë edhe informacionet lidhur me proceset që ka drejtuar ai duke qenë në krye të ekzekutivit, njofton Klan Kosova.
“Mënyra e dorëzimit të detyrës përbën standard. Ky standard pres që të respektohet kurdoherë që ndërrohen qeveritë. Është tepër e rëndësishme për maturitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Kryeministri i ri pres të sillet me përgjegjësi në dorëzimin e detyrës tek kryeministri i ardhshëm”.
“Do t’ia dorëzoj informacionet e plota për IPA-n, diskutimet që kemi bërë me vendet e BE-së veç e veç për procesin e liberalizimit të vizave. Do t’ia dorëzoj informacionet e plota për procesin e dialogut, Marrëveshjen e Washingtonit dhe realizimin e obligimeve të kësaj marrëveshjeje…”.
Një veprim të tillë – dorëzimin zyrtar të detyrës – nuk e kishte bërë Albin Kurti kur Avdullah Hoti u bë kryeministër.
Kurti, qeveria e të cilit u rrëzua vetëm pas 51 ditësh në pushtet, kishte thënë se nuk mund ta pranonte atë që e kishte shkarkuar vetë.
Albin Kurti kishte shkarkuar Avdullah Hotin nga posti i zëvendëskryeministrit vetëm pak orë pasi ishte shkarkuar qeveria e tij më 25 mars pas mocionit të mosbesimit të iniciuar nga partia e Isa Mustafës me të cilën Vetëvendosje ishte në koalicion qeverisës.