Lajmet e fundit

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schalenberg, ka mirëpritur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kreu i diplomacisë austriake theksoi se situata aktuale politike duhet të përdoret për të siguruar një model të qëndrueshëm të jetës në Evropë, transmeton Klankosova.tv.
“Duhet të sigurohet që momenti gjeopolitik i shkaktuar nga lufta e agresionit rus të mos mbetet një moment tronditjeje, por që të përdoret për të siguruar dhe pohuar mënyrën e jetesës perëndimore në terma afatgjatë”.
“Prandaj, ministri i Jashtëm, Schallenberg, u shpreh qartë në favor të pranimit të anëtarëve të rinj dhe përshëndeti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, të dorëzuar nga Republika e Kosovës më 12 maj 2022”, thuhet në njoftimin e ministrisë austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk është futur në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që është mbajtur sot në Torino të Italisë.
Aplikimin për anëtarësim në KiE e dorëzoi tetë ditë më parë në Strasburg të Francës vetë kryediplomatja Donika Gërvalla-Schwarz.