Lajmet e fundit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka takuar Konsullin e Nderit të Kosovës në Vjenë të Austrisë, David Ungar-Klein.
Ai e njoftoi bashkëbiseduesin për projektet e shumta të cilat janë duke u realizuar në Kosovë nga Ministria e Infrastrukturës, njofton Klan Kosova.
“Autostrada në drejtim të Shqipërisë tashmë është e përfunduar. Në fund të këtij viti përfundojnë punimet për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, pastaj është kryer procesi i fizibilitetit dhe janë duke vazhduar procedurat për projektin e ndërtimit të Autostradës me Serbinë si dhe fillimin e punimeve për rrugën me Malin e Zi, si dhe për projektet tjera të rëndësishme për vendin tonë si ndërtimi në drejtim të Mitrovicës që pritet të fillojë dhe punimet të përfundojnë brenda dy viteve".
"Do të vazhdohet me projektin e rrugës për Pejë si dhe pritet fillimi i punimeve për Autostradën e Dukagjinit, që i lidh të gjitha qytetet, me ç‘rast përfundohet edhe qarkorja e autostradeve dhe këtu përfundon realizimi i ndërtimit të autostradave. Jemi të përkushtuar që brenda 4 viteve rrugët tona të jenë sipas standardeve evropiane si dhe të përfundohen autostradat e që me këtë do të ketë lidhje më të mirë të qyteteve të Kosovës, por edhe me shtetet rajonale”, ka thënë Lekaj.
Ai ka thënë se "investimet në të ardhmen në infrastrukturën rrugore do të pëqendrohen edhe në sinjalistikën e rrugëve, ndriçimit dhe sigurisë së qytetarëve".
Lekaj tha se si projekte të cilat do të implementohen në të ardhmen janë edhe ato për rikonstruktimin e hekurudhave, që Kosovën do ta lidhin me shtetet fqinje, por dhe me ato evropiane, pasi që kemi një fond evropian në vlerë prej 200 milionë eurove.
Ai theksoi se sa i përket mbështetjes për ndërtimin e rrugëve, nuk ka pasur mbështetje nga fondet evropiane.
Sipas Ministrit Lekaj, si temë e cila ka rëndësi të madhe që të diskutohet është njohja e patentëshoferëve nga ana e Austrisë dhe shteteve tjera evropiane, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm, por duke u bazuar në ligjet dhe rregullat e këtyre shteteve. Andaj ai kërkoi që njohja e patentëshoferëve nga shteti i Austrisë të bëhet sa më parë.
Konsulli i Nderit i Kosovës në Vjenë theksoi se Austria edhe në të ardhmen do të jap mbështjen e saj për Kosovën.
Ai e ftoi ministrin Lekaj që të marrë pjesë në konferencën për transportin e cila do të mbahet në nëntor të këtij viti në Autstri.