Lajmet e fundit

Në Bruksel është mbajtur takimi i grupeve punuese për zbatimin e marrëveshjes për telekomin në mes të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, takim ky i cili ka zgjatur 17 orë.
Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialogun në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri e cila deklaroi se në këtë raund të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së është biseduar për përafrimin e qëndrimeve në mes palëve në çështjet që janë të lidhura me finalizimin e planit për veprim.
Në këtë kuadër, Kosova do ta merr kodin telefonik ndërkombëtar 383 drejtpërdrejt nga ITU dhe se u konfirmua edhe njëherë se kërkesa në emër të së Kosovës do të bëhet nga ana e Austrisë. Poashtu plani për veprim parasheh që edhe çështja e bashkëpunimit në shërbimet postare në mes të të dyja shteteve të diskutohet dhe të përmbyllet deri në muajin dhjetor të këtij viti.
Tahiri, theksoi se pjesë e marrëveshjes është edhe lejimi i përkohshëm për një kompani të re të telefonisë në Kosovë, e cila do ketë fushëveprim të kufizuar.
"Ashtu siç edhe është sqaruar nuk bëhet fjalë për operator të ri të telefonisë meqë një lejim i tillë merret vetëm përmes procedurave të garës publike të tenderit me karakter ndërkombëtar. Me dakordimin final të këtij plani për zbatim që pritet të përmbyllet në takimin e radhës të Kryeministrave do të shuhen operimet e operatorëve ilegal që kanë vepruar në Kosovë në fushën e telekomunikacionit brenda një periudhe të paraparë me plan duke vendosur përfundimisht rregullsi në tërë territorin e Kosovës" theksoi Tahiri.
Në fund të këtij takimi, palët u dakorduan që bisedimet të vazhdojnë dhe se të hënën e ardhshme me 22 qershor .