Lajmet e fundit

Administrata Tatimore e Kosovës sot shënon 23 vjetorin e themelimit të saj, përvjetor ky i cili raportohet se institucionin e gjen në pozicionin më të mirë që ka pasur ndonjëherë.
Bëhet e ditur se faktorët që kanë ndikuar në rritjen e progresit të ATK-së, janë digjitalizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, profesionalizimi i stafit, transaparenca, llogaridhënia, reformat në mbledhjen e borxheve, rimbursimet tatimore, rritja e partneritetet me qytetarët, reformat në strukturimin e stafit, etj.
“Si rezultat i një përkushtimi të vazhdueshëm nga stafi dhe mbështetja nga institucionet ndërkombëtare, ATK ka arritur që nga viti 2000 deri në dhjetor 2022 të inkasojë gjithsejtë 6 miliardë e 506 milion euro tatime, dhe 2 miliard e 425 milionë euro kontribute pensionale, gjithsej mbledhje e të hyrave prej 8 miliardë e 931 milion euro, apo afër 9 miliardë euro të mbledhura tatime dhe kontribute pensionale”.
“Referuar vetëm periudhës janar-dhjetor 2022 janë inkasuar 723.9 milion euro tatime, që janë të hyra rekorde duke ditur sfidat që kemi pasur përpara. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rritje për 126.2 milionë euro apo 21.1 %, ndërsa në krahasim me planin e rishikuar kemi rritje për 12.3 milionë euro apo 1.7%. Kontributet pensionale janë në shumën 237.5 milion euro. Pra totali tatime dhe kontribute të mbledhura janë 961.4 milion euro”, thuhet në kumtesën e ATK-së.
Administrata Tatimore e Kosovës gjithashtu falënderon të gjithë tatimpaguesit që për 23 vjet kanë kontribuar në rritjen e buxhetit të shtetit, në të njëjtën kohë u bën thirrje që t’i kryejnë obligimet tatimore me kohë dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e zhvillimit të shtetit tonë.