Lajmet e fundit

Vrasja që u parandalua dje në qytetin e Shkodrës, me arrestimin e atentatorit, 21-vjeçar Osman Malja, ishte porositur nga burgu.
Pas një ndjekje hetimore-proaktive të bërë nga struktura të specializuara, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Shkodër, policia arrestoi dje në flagrancë shtetasin Osman Malja, 21 vjeç, banues në Shkodër.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ky shtetas mbahej nën vëzhgim prej disa kohësh nga policia, e cila kishte në kontroll të plotë lëvizjet dhe veprimtarinë e tij për vrasjen e porositur të mjekut A.T.
Forcat e Specializuara të Policisë ndërhynë dje, duke neutralizuar dhe arrestuar autorin në momentin që ky tentoi të hapë zjarr në drejtim të objektit të sulmit (mjekut A.T) me armën e tij tip kallashnikov të kamufluar në një çantë sporti.
Në momentin e ndërhyrjes, autori tentoi të reagojë edhe ndaj forcave policore, por mbetur i plagosur. Osman Malja kishte si qëllim vrasjen e një mjeku në Spitalin Rajonal Shkodër( Mjekun A.T).
Kjo vrasje ishte e porositur nga burgu, nga shtetasi Eljon (Esmeraldo) Hato 31 vjeç, i cili ndodhet i arrestuar në ambjentet e I.E.V.P. Lezhë, për “Vrasje”./Shekulli.al