Lajmet e fundit
Ekspretët e mjekësisë ligjore të angazhuar nga familja kanë ardhur në përfundim se aktivisit i Vetëvendosjes u vra në Qendrën e Paraburgimit në Prizren

Tomë Gashi, avokat i angazhuar nga familja Dehari, ka thënë se sipas raportit të përpiluar nga ekspertët e angazhuar nga familja që kanë marrë pjesë në obduksionin e Astrit Deharit, ai është vrarë.
Ai ka prezantuar një varg provash, që sipas tij tregojnë qartë se Deharit iu mor jeta, njofton Klan Kosova.
“Lëndimet janë konsideruar se janë lëndime vetëmbrojtëse nga ekspertët. Që logjikisht i bie që është vra, nëse ka tentuar ta mbrojë veten”.
"Dëmtimet në pjesën e kokës së Astrit Deharit janë të atilla që mund të jenë shkaktuar me të ashtuquajturin 'boks hekuri'. Ekspertët e angazhuar nga ne thonë se janë asisojta që mund të shkaktohen vetëm me atë mjet. Në bazë të këtyre lëndimeve mund të thuhet që në atë moment Astrit e ka humbur vetëdijen. Po ashtu pjesa e dorës së Astriti mund të shihet në fotografi që është e shtrënguar. Këto lëndime janë shkaktuar sa ai ka qenë gjallë. Në qelinë e tij në tokë është gjetur një jastëk, që mund të jetë edhe mjeti i vrasjes".
I ndjeri Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe qe arrestuar më 30 gusht të këtij viti, nën dyshimin se së bashku me aktivistë të tjerë të kësaj partie kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me armë. Ai vdiq më 5 nëntor, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. /klankosova.tv