Lajmet e fundit

Tashmë janë grumbulluar miliona euro të cilat pritet t’i transferohen Asociacionit të Komunave Serbe, që pritet të themelohet me 25 gusht, pasi të takohen dy kryeministrat në Bruksel, ai i Kosovës, Isa Mustafa dhe i Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Më shumë se 5 milionë euro, tashmë janë mbledhur në Fondin për zhvillimin e Veriut, nga të hyrat e grumbulluara prej dy pikave doganore në veri, Bërnjak dhe Jarinje, mëson gazeta “Zëri”, nga burimet e saj. Ndërkohë që edhe 10 milionë euro të tjera janë ndarë nga Qeveria e Serbisë për Asociacionin, buxheti i së cilit ka arritur shumën e përgjithshme prej më shumë se 15 milionë eurove.
Të hyrat milionëshe që do t’i ketë në dispozicion ky Asociacion, e bëjnë atë të fuqishëm dhe vendimmarrës në shumë sfera, dhe krejtësisht të pavarur nga institucionet e Kosovës, si rrjedhojë edhe opozita po përpiqet që të ndalojë themelimin e saj.
Asociacioni i Komunave Serbe parashihet të themelohet me Marrëveshjen e 19 prillit 2013, ndërsa prej asaj kohe po vazhdojnë bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, në pamundësi për të gjetur pajtim mes tyre që marrëveshja të gjejë edhe zbatim në terren.
Fondi për zhvillimin e Veriut, është iniciativë e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, por e cila ende nuk e ka dhënë dritën e gjelbër për t’i shfrytëzuar ato, bën të ditur një zyrtar i BE-së, në kushte anonimiteti.
“Janë grumbulluar mbi 5 milionë euro, por ato nuk shfrytëzohen deri pas themelimit të Asociacionit”, thotë ai.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Zëri.