Lajmet e fundit

Sikurse serbët e Kosovës, edhe shqiptarët e tri komunave të Luginës - Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit miratuan një Deklaratën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi.
Mirëpo, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian nuk kanë dhënë sinjale të mira për këtë veprim. Ata kanë deklaruar se AKSHL-ja nuk ka ngjashmëri me asociacionin e serbëve në Kosovë.
Kur është fjala për pozitën e pakicës shqiptare në Serbi, zëdhënësja Maja Kocijançiq, ka thënë që nga Beogradi pritet të zbatohet politika e mbrojtjes së pakicave.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë, Jonuz Musliu ka reaguar pas këtyre deklaratave të zyrtarëve të BE-së. Ai në një prononcim për “Zeri.info”, ka thënë se, vlerësimi i evropianëve karshi këtij vendimi është i padrejtë.
Sipas Musliut, Asociacioni i Komunave Shqiptare në Serbi ka filluar të jap sinjalet e para të përkrahjes.
“Unë besoj se shqiptarët janë autokton dhe nuk janë ardhacak. Mendoj se vlerësimi i Bashkimit Evropian nuk është i drejtë. Por, këta të fundit nuk mund të punojnë me dy standarde, ndryshe me serbët në Kosovë e ndryshe me shqiptarët në Luginë të Preshevës. Problemet duhet t’i zgjedhin në mënyrë proporcionale”, ka thënë ai për “zeri.info”.
Më tutje, Musliu ka treguar se javët e ardhshme ai dhe delegacioni nga Lugina do të kenë takime me zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe atyre të BE-së.