Lajmet e fundit
Asambleistët e Kuvendit Komunal në Ferizaj nga radhët e PDK-së, sot e kanë lëshuar mbledhjen e Kuvendit në shenjë pakënaqësie ndaj shkeljeve të vazhdueshme dhe papërgjegjësisë totale nga ana e kryetarit të Komunës, Muharrem Svarqa.

Gazmend Bytyqi, asambleist nga Partia Demokratike e Kosovës në një postim në profilin e tij në Facebook ka radhitur edhe arsyet kryesore për këtë veprim të PDK-së në Ferizaj:
“Të nderuar qytetarë të Ferizajt, me keqardhje ju njoftojmë se, për shkak të keqpërdorimeve nga ana e Kryetarit të Komunës, ne e lëshuam seancën e Kuvendit të Komunës. Seancën e lëshuam për këto arsye:
1.Shkelje ligjore për pikën e 7 të rendit të ditës, pikë shumë e rëndësishme për qytetarët të cilët banojnë dhe afarojnë në qendrën e qytetit e nuk kanë asnjë shpjegim se çfarë projekti do të bëhet në rast se merret vendimi, madje as ne anëtarët e kuvendit nuk kemi ndonjë informacion shtesë.
Shkeljet ligjore në procedimin e kësaj pike janë drastike.
2.Arsyetimi i Kryetarit ishte krejt qesharak, më qesharak ishte edhe kur kërkonte që një pikë të rendit të ditës që e ka propozuar vetë, ta votojmë në mënyrë të pjesshme.
3.Shantazhi është bërë logjikë e veprimit të këtij Kryetari. Ai dëshiron që vendimet e Kuvendit t’i zbatojë vetëm kur i konvenojnë atij, d.m.th. ai mendon që Kuvendi i Komunës, Komuna dhe qytetarët e saj janë pronë e tij, gjë që është madje dhe qesharake. Ai mund të bëjë shantazhe, injorime me të tjerët, jo me grupin parlamentar të PDK-së, jo me anëtarët e Kuvendit, të cilët kanë mandat nga qytetarët tanë. Ligjshmërinë e marrjes së vendimeve nuk e përcakton Kryetari, ligjshmërinë e përcaktojnë normat ligjore. Kryetari as nuk di, as nuk pyet, e më keqja, këmbëngul në injorimin, shantazhimin, madje, ç’është më paradoksale, në shkeljet ligjore” ka shkruar Bytyqi.