Lajmet e fundit

Lule Elezi, Marigona Qerkezi, Merita Rexha Tërshana dhe Dorina Selimaj, do të prezantohen me koncert të përbashkët artistik në Tokio të Japonisë, koncert i cili do të prezantohet në mbrëmjen e së mërkurës, me fillim në ora 19:00.
Lule Elezi, pianistja kosovare e cila do të prezantohet në këtë koncert, ka bërë të ditur për KultPlus se ky koncert është organizuar me qëllim të shënimit të 7 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të Japonisë dhe Republikës së Kosovës, përkatësisht të 35 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe Japonisë.
“Për herë të parë po organizohet një koncert i muzikës klasike me artistë nga Shqipëria dhe Kosova”, ka thënë Elezi mbi këtë koncert që do të prezantohet në Oji Hall në Ginza, qendër biznesore dhe artistike e njohur në Tokio, në të cilën kanë interpretuar artistë të mëdhenj botërorë.
Pianistja Lule Elezi dhe sopranoja Marigona Qerkezi do të interpretojnë vepra botërore si: Bethoven, Chopin, Verdi, Puccini, Rossini, sikurse që do të interpretojnë edhe vepra të autorëve shqiptarë.
Po ashtu do të prezantohen me program të pasur edhe Rexha Tërshana dhe Dorina Selimaj.
Ky koncert do të përcillet edhe nga kori diplomatik i akredituar në Tokio, përfaqësues të institucioneve japoneze dhe nga publiku artdashës japonez.