Lajmet e fundit

Kongresi zgjedhor socialist i programuar për t’u mbajtur në mesin e muajit janar, me shumë gjasa do të shtyhet.
Kjo pasi kur kanë mbetur më pak se 45 ditë nga koha e përcaktuar për mbajtjen e tij, procesi i zgjedhjeve dhe organizimit që duhet t’i paraprijë atij është larg afateve të përcaktuara nga Asambleja Kombëtare që në verën e këtij viti.
Kjo ka qenë në fakt rezultantja e të gjitha raportimeve që kanë bërë dje koordinatorët socialistë gjatë takimit të grupit për organizimin dhe koordinimin e fushatës elektorale të vitit 2017, ku i pranishëm ka qenë edhe kryetari i PS-së, Edi Rama.
Mbledhja ka nisur rreth orës 09:00 dhe ka mbaruar në 10 e 20 minuta.
Megjithëse nuk ka pasur ndonjë deklaratë për mediat, është parë që kryeministri Edi Rama të largohej i pari nga selia e PS-së dhe pas tij, të gjithë pjesëtarët e tjerë të këtij grupi pune.
Ndërkohë që burime pranë selisë rozë kanë bërë të ditur se 6 koordinatorët socialistë, Koço Kokëdhima, Ditmir Bushati, Blendi Klosi, Lindita Nikolla, Sajmir Tahiri dhe Taulant Balla kanë raportuar në vija të përgjithshme për secilin nga proceset që përfshin kjo fazë e riorganizimit të PS-së për secilin prej rajoneve që ata mbulojnë.
Kështu bëhet e ditur se gjatë këtyre raportimeve është vënë re një vonesë e theksuar në kapjen e afateve të përcaktuara nga Asambleja Kombëtare, pasi procesi është ende në zgjedhjen e organizatave të partisë.
Ndërkohë që është ende shumë mbrapa procesi i propozimit të kandidatëve për kryetar të Partisë Socialiste nëpër bashki, sipas ndarjes së re territoriale./Mapo.al