Lajmet e fundit

Skaj rrugës kryesore, në ballë të kompleksit që mban emrin e tij - është rikthyer në Istog Ibrahim Rugova, por tash në bronz.
Shtatorja e ish-presidentit kosovar, është vendosur në qytetin ku Rugova u lind e u rrit.
Ky punim tani është i gatshëm për ditën e përurimit, që pritet të jetë gjatë dhjetorit, njofton Klan Kosova.
Lidhur me këtë, në diskutim janë dy data me rëndësi sipas drejtorit të Urbanizmit në Istog, Jashar Blakaj.
''Mund të jetë data 2 apo 23 dhjetor. Ndoshta 2 dhjetori për shkak të ditëlindjes së presidentit dhe 23 dhjetori ditëlindja e LDK-së'', ka thënë ai.
Kostoja e shtatores është 119 mijë euro investim i komunës, ndërsa sipas mbikëqyrësit të projektit Rrustem Gashi, nga skulptori Gëzim Muriqi u punua deri në secilin detaj.
Përveç shtatores, tek ky kompleks, ka përfunduar dhe pritet vetëm inventarizimi i muzeut me gjërat e Ibrahim Rugovës, ndërsa do të ketë edhe salla leximi e hapësira të tjera për organizime të ndryshme.