13.11.2016 · përditësuar para 3548 dite2 min lexim
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kryenegociatore në Dialogun e Brukselit ka deklaruar se sot është arritur Marrëveshja për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, njofton Klan Kosova.
Kosova tashmë do ta ketë kodin telefonik shtetëror të saj që është 383 i cili do të alokohet nga ITU.
Tahiri ka thënë se “ky është një sukses i madh i dialogut të Brukselit dhe një lajm shumë i mirë për shtetin tonë dhe qytetarët tanë”.
ITU do t’ia alokojë Kosovës kodin telefonik 383 më datën 15 dhjetor 2016.
Konkluzionet e arritura në këtë marrëveshje janë në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit për Telekomin të vitit 2013 dhe Planin Aksional të dakorduar në vitin 2015, ka treguar Tahiri.
Negociatat për telekomin mes Kosovës e Serbisë kanë zgjatur rreth gjashtë vjet.
Tani Republikës së Kosovës do t’i caktohet nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) kodi shtetëror telefonik +383, i cili do të administrohet nga ARKEP dhe institucionet e Kosovës do të kenë përgjegjësinë për implementimin e tij.
Në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshje, Serbia obligohet t’i dërgoj letër ITU-së me të cilën pajtohet që ITU t’ia alokojë kodin telefonik Kosovës, dhe ky obligim duhet të realizohet me datën 3 dhjetor 2016.
Kosova obligohet që të jep një lejim të përkohshëm dhe të kufizuar për telefoni mobile për një kompani të re mts.d.o, kompani kjo e regjistruar sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës.
“Ky lejim i përkohshëm dhe i kufizuar brenda infrastrukturës aktuale të telefonisë mobile është në përputhje me pikën 4 të Marrëveshjes së Telekomunikacionit të vitit 2013”.
“Kësaj kompanie do t’i ndahen resurse të mjaftueshme frekuencore për të mbuluar zonat që aktualisht mbulon në territorin e Kosovës gjatë kohëzgjatjes së licencës së përkohshme dhe të kufizuar”.
“Për më tepër, operatori në fjalë do të jetë i kufizuar edhe në numrin e përdoruesve (konsumatorëve) që mund t’i ketë gjatë periudhës së autorizimit të përkohshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, njofton Klan Kosova.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.