Lajmet e fundit

Ka qenë një garë e vërtetë filmash hollivudianë kapja e super të kërkuarit nga policia Bedri Haka, i dyshuar për ekzekutimin e tipit mafioz të Leonard Muratajt më 18.11.2014, në qendër të qytetit bregdetar të Durrësit.
Vrasje e kryer në oborrin e lokalit të viktimës. Policia ka marrë informacione të sakta në rrugë operative se i kërkuari po lëvizte me një automjet së bashku me dy persona të tjerë nga Tirana në drejtim të Niklës në Krujë, dhe më pas është vënë në ndjekje të tij.
Në një nga postblloqet policore në afërsi të Niklës, i është bërë shenjë drejtuesit të automjetit, me të cilin udhëtonte Bedri Haka, që të ndalonte. Por drejtuesi i automjetit nuk i është ndalur postbllokut policor dhe ka lëvizur me shpejtësi të lartë në drejtim të Niklës.
Ky veprim ka bërë që forcat e policisë të nisin ndjekjen e mjetit ku qëndronte i kërkuari Bedri Haka dhe dy persona të tjerë, një ndjekje që e ngjashme me filmat policorë të hollivudit. Ndryshimi i vetëm ka qenë fakti se terreni, automjetet dhe personazhet kanë qenë reale. Pas një ndjekje të gjatë, automjeti i personit të kërkuar ka humbur kontrollin, duke u përplasur në krah të rrugës.
Sipas të dhënave policore, për fat dalja nga rruga e automjetit të të kërkuarit nuk është shoqëruar me të lënduar nga aksidenti, në një kohë që është bërë arrestimi i shtetasit Bedri Haka 22vjeç banues në Krujë. 22-vjeçari, i cili akuzohet si autori i vrasjes së biznesmenit Murataj, ka tentuar t’u shpëtojë bluve duke u hedhur nga makina, por këta të fundit kanë arritur ta vënë në pranga.
Dy shtetasit e tjerë që ndodheshin në automjet, pasi kanë kryer verifikimet, janë lënë të lirë. I arrestuari konsiderohet nga policia si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe është i dyshuari kryesor për vrasjen me armë zjarri të shtetasit Leonard Murataj 51 vjeç, banues në Durrës.
Për të arrestuarin Bedri Haka Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës në datën 23.11.2014 ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” shkruan Shekulli.