Lajmet e fundit
Policia ka arrestuar një nga personat e shpallur në kërkim, të dyshuar për vrasjet në Thumanë. Në pranga është vënë Gurali Kora, pas një operacioni special gjatë natës të komisariatit të Kurbinit.

Ditën e premte, në Thumanë të Krujës, gjatë një konflikti të çastit u vranë 3 persona dhe u plagos një tjetër. Tre persona nga e njëjta familje; babai, djali dhe nipi; u vranë me armë zjarri pas një konflikti banal të njërit prej viktimave me autorët e dyshuar të krimit.
Viktimat janë Fran Çeku, 79 vjeç; djali i tij Arben Çeku, 44 vjeç; si dhe nipi Eno Rama, 20 vjeç; të 3 banues në Thumanë. Mbeti e plagosur edhe Lucie Çeku, 66 vjeç. Policia lokale thotë se ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive banale, që autorët kanë pasur rreth një orë para vrasjes, me njërin prej viktimave, Arben Çekun.
Autorët e dyshuar i kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar mbi të dhe familjarët e tij, në rrugën e ngushtë që të çon drejt shtëpisë Çeku. Lidhur me ngjarjen, policia deklaron se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim burrat e familjes Kora, si autorë të dyshuar për krimin; konkretisht 3 vëllezërit Besnik, Pëllumb dhe Daniel Kora, si dhe babain e tyre, Guri Kora.