Lajmet e fundit

Një person është arrestuar në Prishtinë për shkak të veprës penale 'legalizim i përmbajtjes së rreme dhe falsifikim i dokumentit'.
Në njoftimin e PK-së thuhet se gjatë kontrollit të banesës, ku banonte i dyshuari, kishin gjetur një pasaportë dhe një letërnjoftim të Kosovës, si dhe një letërnjoftim të një shteti tjetër.
Në të gjitha këto dokumente, personi në fjalë kishte të dhëna të ndryshme.
"Personi i lartcekur kishte në posedim veturë me targa të një shteti tjetër dhe i njëjti nuk posedon leje të vozitjes. Gjatë kontrollimit të këtij personi janë gjetur sende të dyshuara që gjatë hetimit të mëtutjeshëm mund të lidhen me veprimtarinë e dyshuar të këtij personi", thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollimit të banesës dhe veturës janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht:
• Aparat për detektimin e kamerave dhe sensorëve;
• 2 thika;
• 1 shtëpizë kompjuteri;
• 7 telefona celularë të llojeve të ndryshme;
• Kartela telefoni të shtetit të Serbisë dhe të RKS-së;
• Para kesh me vlerë 2,675 euro;
• Lira turke me vlerë 45;
• Dokumente të identifikimit të dyshuara të falsifikuara: Letërnjoftim i një shteti tjetër, Pasaportë dhe letërnjoftim i RKS-së;
• Fatura të ndryshme, fletore për evidenca;
• Vetura Renault Clio me targa të huaja.