Lajmet e fundit

Në mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës ka arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje të kontrabandës me emigrantë.
“Operacioni policor, i bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Departamenti Kundër Krimeve të Rënda, është realizuar nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, i asistuar edhe nga njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Si rezultat i këtij aksioni policor janë sekuestruar dy pasaporta të shteteve të ndryshme, dy letërnjoftime të shteteve të ndryshme, një patent shofer, 12 telefonë, katër armë të shkurta dhe gjësende të tjera.
“Këtij operacioni policor i ka paraprirë edhe një bashkëpunim i vazhdueshëm ndërkombëtar me autoritetet policore të shteteve të ndryshme të rajonit duke përfshirë edhe Slloveninë, nën asistimin dhe koordinimin e EUROPOL-it, në të cilat po ashtu janë realizuar operacione policore me karakter të njëjtë”, vijon komunikata e Policisë.
“Me vendim të prokurorit kompetent të gjithë personave të dyshuar iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh”.