Në mëngjesin e hershëm janë arrestuar drejtuesit e institucioneve shkollore turke në Kosovë, të identifikuar nga Turqia si mbështetës të Fetullah Gulenit dhe kundërshtues të politikës së Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Të njëjtit janë krerët dhe profesorët e “Gulistan” dhe kolegjit “Mehmet Akif”, njofton Klan Kosova.
Drejtori Gjeneral i këtij institucioni, Mustafa Erden është arrestuar gjatë rrugës sa ishte duke shkuar në punë, dhe sipas informacioneve nga ky institucion arrestimi është realizuar në prani të familjarëve të tij.
Në një situatë pothuajse të ngjashme është arrestuar edhe zëvendësdrejtori, Yusuf Karabima.
Në këtë aksion policor janë arrestuar edhe dy profesorë Cihen Ozkan dhe Hasan H. Gunakan si dhe Drejtori i Kolegjit në Gjilan, Kahraman Demirez.
Këta të fundit janë marrë nga policia nga objekti shkollor, njofton Klan Kosova.
Nga ky institucion kanë bërë të ditur se nuk kanë njohuri për arsyet e arrestimeve dhe se nuk dihet lokacioni të arrestuarve.
Arrestimin e ka konfirmuar edhe Policia, të cilët thanë se aksioni po vazhdon.
Përfaqësuesi i kolegjit “Mehmet Akif”, Alush Ergini ka bërë të ditur për klankosova.tv se pesë zyrtarët e arrestuar të këtij institucioni janë duke u mbajtur në ndalim ne Qendrën e Policisë Kufitare.
Ergini ishte prezent kur është arrestuar Drejtori Gjeneral i “Mehmet Akif”, Mustafa Erden, në afërsi të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
“Arrestimi ishte i befasishëm. Nuk ka pasur mundësi komunikimi dhe nuk është bërë e ditur arsyeja e arrestimit”, ka thënë Ergini.
Fetullah Gulen, sipas presidentit turk Recep Tayipp Erdogan është ideolog i një grupimi terrorist, dikur ishte partner i ngushtë i tij në politikë.
Imami Fethullah Gylen udhëheq lëvizjen “Hizmet” nga ekzili i tij në ShBA. Lëvizja e tij është edhe lëvizje politike, edhe korporatë biznesesh e fokusuar shumë në krijimin e institucioneve private të arsimit, përmes të cilave shpërndahen mësimet e këtij kleriku.
Në vitin 2016, pas puçit ushtarak në Ankara e Stamboll, edhe pse para këtij akti të dështuar të ushtrisë për ta rrëzuar islamikun Erdogan nga pushteti, partia AK Party e Erdoganit dhe vetë ai si president kishin filluar një fushatë të egër kundër kësaj lëvizjeje.
Ata e akuzonin “Hizmet” se si lëvizje kishte arritur të krijonte një shtet paralel brenda shtetit turk, me policë, gjykatës e prokurorë që punonin në institucionet e shtetit turk, por për interesat e Fethullah Gylenit.
Lëvizja e Gulenit ka shtrirje edhe në Kosovë, përmes shkollave private që ka krijuar me vite këtu. Sipas disa të dhënave të paraqitura në publik, të paktën 80 persona, shtetas turq që përkrahin Gulenin, strehohen në vendin tonë.
klankosova.tv