? 22:42
Edita Tahiri: Vizitat e zyrtarëve serbë mund të anulohen nëse nuk respektohen kushtet e Marrëveshjes së Brukselit
Në një konferencë të sontme për media, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se në Marrëveshjen e Brukselit nuk parashihet “kërkesa për lejim të hyrjes” në territorin e Kosovës – por “vetëm informimi”.
Edita Tahiri, ish-negociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, në një prononcim për Klan Kosovën e ka komentuar situatën e krijuar pas arrestimit të zyrtarit të lartë serb, Marko Gjuriq.
”Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel parasheh që vizitat e tilla të paralajmërohen. Mirëpo, duhet të respektohen kushtet e marrëveshjes për paralajmërim të ndonjë vizite”.
”Nëse shkelen kushtet e marrëveshjes, atëherë pala tjetër mund ta refuzojë kërkesën për vizitë”.
”Nuk kam shumë informacione për rastin e sotëm, por besoj që pala serbe ka i shkelur kushtet e marrëveshjes kur e ka bërë njoftimin”.
”Kjo nuk është hera e parë që Marko Gjuriq bën shkelje dhe hyn ilegalisht në Kosovë. Në njërën nga rastet e mëhershme, unë pata marrë vendim që të mos i vazhdoja bisedimet në Bruksel derisa ai të mos kërkonte falje – gjë që ai e kishte bërë”, tha Tahiri për Klan Kosovën.
? 22:19
Hoti për arrestimin e Gjuriq: Të mos përdoret për qëllime politike
Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se askush nuk do të duhej ta përdoret për qëllime politike arrestimin e Marko Gjuriq.
Megjithatë, Hoti ka pohuar se LDK-ja vlerëson lartë profesionalizimin e Policia e Kosovës.
“LDK-ja, si gjithherë, e vlerëson profesionalizmin e treguar nga Policia e Kosovës dhe u jep mbështetje të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në ushtrimin e sovranitetin shtetëror në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Hoti.
“Njëkohësisht, LDK-ja dënon provokimet e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë, dhe fton komunitetin ndërkombëtarë të përdorë ndikimin për të parandaluar provokimet e tilla që rrezikojnë stabilitetin në rajon”.
“LDK-ja kërkon që ngjarjet e tilla të mos përdoren për qëllime politike nga askush"
? 22:06
Flet Marko Gjuriq: Jam keq
Marko Gjuriq është prononcuar për herë të parë pas arrestimit në Kosovë.
Gjuriq megjithatë ka folur shumë pak.
“Jam keq”, ka thënë ai pasi është dërguar në stacionin policor në Kurshumli.
? 21:12
Vuçiq: Ne nuk kërkojmë leje nga ata – ky ishte provokim brutal
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar në konferencë për media se arrestimi i Marko Gjuriq, ishte një provokim brutal, njofton Klan Kosova.
“Ky ishte një provokim brutal dhe i pamenduar”, pohoi Vuçiq në konferencën për media pas mbledhjes që zgjati mbi tri orë.
Ai ka deklaruar se zyrtarët serbë asnjëherë nuk kërkojnë leje nga organet në Kosovë.
“Ne nuk kërkojmë leje, ne vetëm i njoftojmë ata. Kështu e thotë edhe marrëveshja e Brukselit”.
Vuçiq ka shtuar se megjithatë “ne nuk kukasim ashtu siç bëjnë të tjerët”.
Aktin e arrestimit të Gjuriqit e ka quajtur edhe “një akt kriminal”.
? 21:03
Lista Serbe largohet nga qeveria
Kryetari i Listes Serbe, Goran Rakiq, ka miratuar nismën për t’u larguar nga qeveria në Prishtinë, dhe pritet të njoftojë presidentin e Serbisë, Aleksavndar Vuçiq, për këtë vendim.
“Në këto rrethana kur drejt popullit duarzbrazët shkohet me plumba në tytë, kur drejt fjalës shkohet me armë dhe çizme, dialogu nuk ka kuptim” ka deklaruar Rakiq, raportojnë mediat serbe.
Ai ka thënë se sot përfaqësuesit legjitimë të popullit serb janë trajtuar “brutalisht” në Mitrovicën e Veriut.
“Pas këtij abuzimi dhe demonstrimi të forcës, udhëheqja e Listës Serbe ka mbajtur një mbledhje urgjente, për të nisur iniciativën për braktisjen e Qeverisë në Prishtinë”, është shprehur Rakiq.
? 21:01
Mogherini bisedon në telefon me Thaçin e Vuçiq pas arrestimit të Gjuriq
Shefja për Politikë të Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini, ka biseduar në telefon me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, pas arrestimit të Marko Gjuriq, njofton Klan Kosova.
“Kam biseduar në telefon me Aleksander Vuçiq dhe Hashim Thaçin. Shpreha mospajtim të thellë me atë se çfarë ka ndodhur sot në Kosovë”, ka shkruar Mogherini në llogarinë e saj në Twitter.
“Gjuriq tani është i lirë dhe po kthehet. Nevojitet qetësi dhe ruajtje e dialogut”.
? 20:05
Momenti i arritjes së Marko Gjuriq në Merdare
? 19:52
Vetëvendosje: Arrestimi i Gjuriq ka mundësi të jetë një skenar i lidhur me riaktualizimin e “Zajednicës”
Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një komunikatë për media për arrestimin e Marko Gjuriq nga Policia e Kosovës, njofton Klan Kosova.
Vetëvendosja ka frikë se ky veprim mund të ketë lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Aksioni i arrestimit të Marko Gjuriqit është zhvilluar pa probleme, dhe kjo tregon se aksione të tilla ka patur mundësi të bëheshin edhe më përpara. Fakti se aksione të tilla nuk ka patur më përpara, por vetëm tani, pas darkës që hëngrën bashkë Thaçi me Vuçiqin në datën 23 mars, tregon se ky aksion ka mundësi të jetë një skenar i lidhur me riaktualizimin e ‘Zajednicës’ e ndoshta edhe paralajmërimet e Vuçiqit për zgjidhjen që do të prezantojë ai në prill të këtij viti”.
Vetëvendosje megjithatë ka lavdëruar punën e policisë.
“Ne e përgëzojmë profesionalizmin e policisë së Kosovës, dhe shpresojmë që ky aksion të mos jetë pa një politikë strategjike shtetërore. Sepse aksionet pa strategji prodhojnë spektakël të rrezikshëm njëditor, siç ndodhi më 25 korrik 2011, kur Thaçi urdhëroi forcat speciale të shkonin në veri, dhe kjo më pas solli përkeqësim të gjendjes atje”.
? 19:41
BE-ja kërkon nga Kosova e Serbia të përmbahen nga eskalimi i situatës
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Bashkimit Europian, ka lëshuar një komunikatë për media, ku thuhet se BE-ja kërkon nga Kosova e Serbia të përmbahen, njofton Klan Kosova.
“Ju bëjmë ftesë të dyja palëve, edhe Kosovës edhe Serbisë, që ta tregojnë përmbajtjen e domosdoshme dhe seriozitetin në mënyrë që situata aktuale në Kosovë të mos eskalojë më shumë”, thuhet në komunikatë.
“BE-ja i dënon ashpër ngjarjet e stome në Kosovë të cilat shkojnë në kundërshtim me normalizimin e marrëdhënieve, ne presim nga Serbia, e cila është në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE, por edhe Kosovës, e cila e aplikon MSA-në, që në plotëni, me fjalë e vepra t’i respektojnë marrëveshjet e dialogut”.
“Presidentët, Thaçi e Vuçiq, të premten e kanë vërtetuar përkushtimin e tyre me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”.
? 19:40
Marko Gjuriq lirohet në Merdare
Pasi qëndroi rreth një orë në Stacionin e Policisë ”Qendra” në Prishtinë, shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i prangosur është nisur drejt Merdares.
Sipas raportimeve të deri tanishme, mësohet se autoritet kosovare tashmë kanë liruar Marko Gjuriq pasi atë ua kanë dorëzuar autoriteteve serbe në Merdare.
? 19:34
Arrestimi i Gjuriq në Kosovë – Aleksandar Vuçiq flet me Federica Mogherinin
Presidenti i Serbisë, Alaksandar Vuçiq raportohet se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Shefen e diplomacisë Europiane Federica Mogherini.
Kjo bisedë mes Vuçiq e Mogherini është zhvilluar pas gjendjes së arrirë, kur dhe u arrestua në Kosovë, zyrtari i lartë serb, Marko Gjuriq.
? 19:31
Pacolli: Gjuriqit iu tërhoq vërejtja disa herë që t’i respektojë ligjet e Kosovës
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se sot policia e Kosovës, pas arrestimit të Marko Gjuriq në veri të Mitrovicës, ka vepruar sipas ligjit të shtetit, njofton Klan Kosova.
Ky është statusi i plotë i Pacollit në Facebook:
"Sot Policia e Kosovës ka vepruar sipas ligjit të vendit tonë. Në Veri të Mitrovicës ka arrestuar Z. Gjuriq. Tani mbas kalimit të të gjitha procedurave, është duke u bërë e mundur deportimi i tij jashtë Republikës së Kosovës.Atij u është tërhequr vërejtja disa herë që t’i respekton ligjet e Kosovës, siç duhet respektuar ligjet e nikoqirit, çdo qytetar, kudo që shkon"
? 19:25
Thaçi bën thirrje për qetësi – policia veproi me profesionalizëm
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për qetësi, derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriqit.
“Marko Gjuriq ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se sapo është njoftuar nga organet kompetente dhe Marko Gjuriq ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe tani është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi presidenti Thaçi.
? 19:22
Veseli: Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie
Pas arrestimit të Marko Gjuriq në veriun e Mitrovicës, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se shteti i Kosovës zbatoi sot ligjet e veta dhe ushtroi sovranitet të plotë.
Veseli tha se Kosova nuk lejon asnjë provokim dhe se Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie, njofton Klan Kosova.
“Shteti i Kosovës ka zbatuar sot ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë. Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie. Ne nuk jemi duke shkuar në Serbi të provokojmë, presim që ata të jenë më të vëmendshëm në respektimin e sovranitetit të kufijve tanë territorialë. Për aq sa ata janë korrekt ne do të jemi korrekt. Nuk na është dashtë dita e sotme, por zyrtarët serbë duhet ta kuptojnë se në Kosovë mund të futen vetëm me lejen e autoritete shtetërore kosovare. Kosova është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por vullneti duhet të jetë i dyanshëm. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie që të jenë të qetë dhe të mos nxiten nga asnjë lloj provokimi”, ka shkruar Veseli në Facebook.
? 19:01
Gjuriq po dërgohet në Merdare – për t’u dëbuar nga Kosova
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pritet të dërgohet në Merdare e më pas të dëbohet nga Kosova, njofton Klan Kosova.
Ky është lajmi i fundit, pas arrestimit të Gjuriq nga Policia e Kosovës pasi shpërfilli paralajmërimin e organeve kosovare për mos-futje në territorin e Kosovës.
Gjuriq mbase në fillim dërgohet në gjykatë e më pas dërgohet në Merdare.
? 18:59
Vuçiq telefonon Putinin pas arrestimit të Gjuriqit
Mediat serbe raportojnë se pas arrestimit të Marko Gjuriq në veriun e Mitrovicës, presidenti serb Aleksander Vuçiq ka bërë një lidhje të drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin, nga i cili pret përkrahje për zgjidhjen e situatës kritik.
? 18:46
Serbët mblidhen në pjesën veriore të urës së Ibrit
Pas arrestimit të Marko Gjuriq, dhjetëra qytetarë serbë janë mbledhur në pjesën veriore të Mitrovicës.
Kryesisht persona që i kanë ndenjur afër dhe kanë përkrahur Gjuriqin, janë duke qëndruar në pjesën veriore të urës se Ibrit, nën tingujt e alarmit për situata te jashtëzakonshme.
Ky alarm është lëshuar që nga momenti i arrestimit të Gjuriq, në Mitrovicën Veriore.
Situata në pjesën jugore aktualisht është e qetë, përderisa njësitet policore janë prezente.
? 18:30
Marko Gjuriq sillet nën pranga në Prishtnë (VIDEO)
Eskorta policore bashkë me Marko Gjuriq, i cili u arrestua vetëm pak më parë në Mitrovicën e Veriut, ka arritur në stacionin QENDRA në Prishtinë.
Klan Kosova ekskluzivisht sjell pamjet kur Policia e Kosovës e sjellin Marko Gjuriq nën pranga në Qendrën e Stacionit Policor në Prishtinë,
? 18:29
Hoxhaj: Veprimet e Gjuriq tendencioze, Kosova nuk lejon shkeljen e kushtetutës
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka deklaruar se Marko Gjuriq është futur ilegalisht në Kosovë, në kundërshtim me kushtetutën dhe marrëveshjen e Brukselit.
Hoxhaj përmes një reagimi në Twitter ka thënë se veprimet e tilla janë të rrezikshme dhe kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.
“Kosova do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të ruajtuar paqen brenda territorit” ka shkruar Hoxha.
? 18:25
Arrin eskorta policore me Gjuriqin në Prishtinë
Secilin moment pritet që eskorta policore të arrijë tek stacioni policor në Prishtinë, pas arrestimit të Marko Gjuriq në Mitrovicën e Veriut.
? 18:17
Bahtiri: Gjuriq është arrestuar, Kosova shtet funksional, parimor e demokratik
Kryetari i Mitrovicës Jugore Agim Bahtiri ka deklaruar se situate në veri të Mitrovicës ka qenë mjaft e tensionuar, pasi zyrtarët serbë kanë hyrë në Kosovë pa marrë leje paraprakisht, duke përfshirë këtu edhe shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Serbi, Marko Gjuriq.
Bahtiri ka bërë të ditur se Gjuriq është arrestuar dhe është duke ardhur për në Prishtinë.
“Çdo njeri duhet të dijë se shteti i Kosovës, është shtet funksional, parimor, demokratik dhe një gjë të tillë duhet të respektojë secili qytetar që vjen në Kosovë” ka deklaruar Bahtiri.
Kryetari i Mitrovicës Veriore gjithashtu tha se njësitet ROSU kanë kryer punën e tyre, duke iu referuar arrestimit të zyrtarëve serbë që u futën pa leje në Kosovë, përderisa tha se të gjitha aksionet tjera do të ndërmerren për të mbajtur rend dhe qetësi.
? 17:48
Arrestohet Marko Gjuriq
Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë arrestuar zyrtarë serbë përfshirë dhe shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Të arrestuari kryen vepër penale pasi kanë shkelur pa leje zyrtare në territorin e Kosovës, njofton Klan Kosova.
Klan Kosova raporton se Njësia Speciale kanë hyrë në vendin e ngjarjes duke përdorur shok-bomba aty ku dhe po mbahej debati për dialogun e Kosovës.
Ka njësi të mëdha policore, ka qindra njerëz të cilët kanë vëzhguar në vendin e ngjarjes.
? 17:40
Marko Gjuriq futet në Kosovë
I ashtuquajturi drejtor për Zyrën e Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq është futur në terrirorin e Kosovës, dhe është parë në sallën ku pritet të mbahet debati mbi dialogun e brendshëm për Kosovën.
Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se nuk lejojnë hyrjen e tre zyrtarëve serbë për vizitë në Kosovë ndërsa dhe është paralajmëruar arrestimi i gjithë atyre të cilët hyjnë në territorin e Kosovës pa leje paraprake.
Sipas mediave serbe Gjuriq në fjalimin e tij ka deklaruar se ”Kosova kurrë nuk do të jetë shtet i pavarur”.