Lajmet e fundit

Një aksion anti-terrorizëm është ndërmarrë nga policia italiane në Breshia, në bashkëpunim me policinë kosovare, që ka çuar në një sërë arrestimesh.
Në xhirimiet e bëra publike nga policia italiane shihen policë të njësiteve speciale që arrestojnë disa shtetas kosovarë të konsideruar përgjegjës për "nxitje të terrorizmit".
Personi i konsideruar si “truri” i këtij grupi, një shtetas kosovar që ka jetuar për një kohë të gjatë në Itali, është arrestuar në Kosovë nga autoritetet vendase, ndërsa 3 të tjerët janë arrestuar në Itali, ku jetonin prej kohësh.
Autoritetet italiane kanë kryer njëkohësisht një seri kontrollesh në qytetet Breshia, Viçenca dhe Peruxha dhe është ekzekutuar pas një hetimi të gjatë, që ka nxjerrë në pah “tregues të rrezikshëm të fanatizmit fetar në ngarkim të grupit kriminal, anëtarët e të cilit publikonin në internet foto me armë dhe sjellje tipike të luftëtarëve të Shtetit Islamik”, thuhet në një njoftim të policisë italiane.