30 ditë "arrest shtëpiak" për zëvendëssekretarin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqit.
Kjo është masa që e ka aprovuar sot Gjykata Themelore e Prishtinës, pas kërkesës së Prokurorisë.
Lajmi u konfirmua për Klankosova.tv nga Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Bytyqi u arrestua të martën gjatë aksionit të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.
Po ashtu dje, organi i akuzës njoftoi se i pandehuri tjetër- Naser Hafizi, që dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nuk është gjetur në vendbanimin e tij.
Në komunikatën e Prokurorisë Speciale, thuhet se gjatë bastisjes janë sekuestruar një revole e tipit “Mauser-Werkr” me dy karikatorë e shtatë fishekë, 34 dokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, tre laptopë, katër shtëpiza të kompjuterit, e po ashtu dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.
Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa me lokacione në Prishtinë e Fushë-Kosovë.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.