Lajmet e fundit

Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shënuar 26 vjetorin e themelimit.
Kryetari Armend Ibrahimi ka thënë për Klan Kosovën se ky Forum ka një traditë të gjatë të aktivitetit të vet në përpjekjet për liri dhe demokraci.
“Gjatë këtij mandati, Forumi i Rinisë e ka dëshmuar veten si organizatë shumë dinamike. Forumi i Rinisë është anëtarësuar në organizatën e të rinjve studentë të Partive Popullore Evropiane si organizata e parë nga Kosova, duke bërë që edhe në mënyrë institucionale të përcjellin qëndrimet e të rinjve të Kosovës në një organizatë të nivelit evropian”.
Ibrahimi ka thënë se pavarësisht se vendi po përballet me zhvillime të pazakonta, ata do të bëjnë të pamundurën që zëri i të rinjve të dëgjohet.
“Kjo duhet të bëhet përmes mendimit të lirë dhe të sinqertë, si dhe përmes ofrimit të mundësive dhe alternativave”.
Sipas tij, Kosova ka mundësi të jetë një vend demokratik dhe paqedashës, ku sundon ligji dhe ku institucionet janë të ndara dhe të pavarura.
Mbi të gjitha, Ibrahimi ka thënë se është e rëndësishme është të ruhet unitetin nacional dhe demokracia si dy elemente përcaktuese të shtetin tonë – veçanërisht sot kur më shumë po i kontribuohet ndarjes sesa bashkëpunimit.
“Kjo kërkon shumë punë dhe gatishmëri për të ndryshuar”.
Sa i përket dallimit mes organizimeve aktuale të Forumit Rinor të LDK-së në krahasim me të kaluarën, Ibrahimi ka thënë se përkushtimi duhet të jetë i përditshëm.
"Në 26 vjetorin e themelimit ne patëm takim pune me strukturat tona, me Kryetarin dhe Nënkryetarët e LDK-së, ku përcaktuam disa parime të angazhimeve tona në vazhdim. Besojmë se kjo është forma më e mirë të nderojmë historinë tonë, por dhe të mbledhim energji për të punuar”.
Ai ka shtuar se Forumi Rinor gjatë këtij mandati ka shënuar numër të madh të aktiviteteve dhe ndikim të rëndësishëm në sensibilizimin e të rinjve për çështjet publike – rrjedhimisht, edhe angazhimi publik është i përditshëm.
“Të rinjtë e LDK-së kanë arritur të shënojnë numër rekord të aktiviteteve dhe kanë dhënë kontribut të çmueshëm në edukimin politik të gjeneratës së re, si dhe organizimit të elektoratit të LDK-së”.
Ibrahimi ka potencuar se do ta organizojnë procesin zgjedhor brenda forumit në të cilin do të përcaktojnë synimet e tyre të radhës.
“Kjo i jep rëndësi demokracisë dhe mundësi zhvillimit. Ndikimi i rinisë duhet të jetë real”.