Lajmet e fundit

Filmi kosovar “Shok” sot gjatë ditës është nominuar për çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër.
Për të përshkruar këtë moment dhe rrugëtimin e këtij filmi pas këtij nominimi të rëndësishëm i ftuar në Kosova Direkt të emisionit Ora e Fundit në Klan Kosova ishte Arben Zharku, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Ai është shprehur se lajmi për nominimin për çmimin Oscar është një lajm i mrekullueshëm.
“Definitivisht është prej lajmeve më të mira që kemi pasur në fushën e kinematografisë, na ka gëzuar neve dhe gjithë shqiptarët gjithandej”.
“Reagimet dhe komentet që kanë bërë ata që e dojnë filmin kosovar na kanë bërë krenarë për punën që jemi duke bërë”.
Zharku është shprehur se ky film do të jetë prezantimi më i mirë për kinematografinë kosovare.
“Ky film për shkak të tregimit që e shtjellon na bën të mburremi dhe që të prezantojmë kinematografinë kosovare në mënyrën më të mirë të mundshme në botë”.
Ai ka treguar se pothuajse gjithë ekipi i filmit “Shok” u mboldhën sot në një lokal të Prishtinës për të pritur lajmin, njofton Klan Kosova.
“Kur ka ardhur momenti i dëgjimit të emrit të nominuar ka ekzituar një stres i madh, më pas erdhi një shpërthim shumë i madh dhe ky shpërthim besoj se do ta ndërrojë fytyrën e kinematografisë kosovare”.
I pari i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka treguar edhe për temën që shtjellon ky film.
“Filmi “ShoK” tregon histroinë e dy të rinjve, filmi më i mirë që është bërë ndonjëherë për luftën e Kosovës dhe ky nominim për neve ka një rëndësi të veçantë edhe për këtë arsye”.
“Filmi “Shok” është filmi më i mirë që është bërë për luftën në Kosovë”.
Ai gjithashtu ka treguar se janë bërë të gjitha përgaditjet që nëse filmi do të nominohej, i njejti të promovohej nëpër botë, njofton Klan Kosova.
“Ne kemi bërë përgaditjet për promovimin por sot ka ndodhur diçka, ka pasur shumë interesim nga institucionet për mbështetje të promovimit dhe filmit nëpër botë”.
“Promovimi i këtij filmi është edhe promovim i kulturës në Kosovë”.
Zharku ka treguar se kanë pasur të garantuar 60 mijë euro për promovimin e filmit.
“Sa më shumë mjete financiare që kemi është më mirë për filmin dhe në këtë moment sado që investohet në promovimin e filmit është njohje dhe vlerësim i gjithë kontributit dhe njerëzve që kanë përjetuar këtë kohë”.