Lajmet e fundit

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me burgim me kusht për kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Donika Kadaj-Bujupin dhe Faton Topallin.
Lajmin e ka konfirmuar për klankosova.tv, edhe zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.
"Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në çështjen e të akuzuarve Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli. Aktgjykimi i gjykatës së shkalles se parë, i datës 03.01.2018, është vërtetuar".
Ata janë shpallur fajtorë për përdorim të armës, me ç'rast deputeti Albin Kurti është dënuar me 1 vjet e 3 muaj burg, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burg. Dënimi unik: 1 vjet e 6 muaj burg.
Deputetja Albulena Haxhiu për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim. Për pengim të personit zyrtar me 4 muaj. Dënimi unik: 1 vit e 3 muaj.
Për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 3 muaj, edhe Donika Kadaj-Bujupi, kurse për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burgim. Dënim unik: 1 vit e 6 muaj.
Ndërsa, deputeti Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim dhe për pengim të personit zyrtar me 3 muaj burg. Dënimi unik: 1 vit e dy muaj.
Të gjitha këto dënime janë me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.
Të katër deputetët akuzohen për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.