Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin ''Pronto'' për gjykim në Departamentin e Krimeve të Rënda, pasi e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Sepciale.
Kjo në çështjen ndaj ish-shefit të PDK-së, Adem Grabovci, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti Zenun Pajaziti dhe tetë të akuzuarit tjerë të këtij rasti, njofton Klan Kosova.
Sipas njoftimit aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 13.08.2018 është ndryshuar:
''Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në rastin e A.G. dhe të pandehurve tjerë. Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 13.08.2018 është ndryshuar, ashtu që për zbatim të procedurës në këtë çështje penale, kompetent është caktuar Departamenti i Krimeve të Rënda, i kësaj gjykate''.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u mbajtur shqyrtimi gjyqësor kundër A.G. etj. për shkak të veprës penale ''Shkelje e statusit të barabartë të shtetasve të Republikës së Kosovës''.
Kryetari i trupit gjykues të këtij rasti, ditë me parë me propozim të një avokati mbrojtës, e kishte shpallur Departamentin e Krimeve të Rënda jo kompetent në pikëpamje lëndore, duke konsideruar se kjo çështje bie në kompetencë të Departamentit të Përgjithshëm.
Gjykata e Apelit e Kosovës sipas kumtesës, konsideron se ky konstatim nuk qëndron dhe se aktvendimi i shkalles se parë nuk është i bazuar, njofton Klan Kosova.