Lajmet e fundit

Është anuluar seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për fajde, Ismet Osmani, i njohur si “Curri”, e cila ishte caktuar të mbahej sot.
Anulimi i saj është bërë për shkak se në seancën e kaluar mbrojtësi i Osmanit, avokati Besnik Berisha, kërkoi përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Medije Bytyqi. Prandaj, deri në shqyrtimin e kësaj kërkese, gjykata nuk mund të marrë veprime në këtë rast.
Anulimi i seancës së sotme është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” nga zyra e kryetares se trupit gjykues, Medije Bytyqi, transmeton Klan Kosova.
Curri tashmë ka një urdhërarrest pasi dyshohet se është përfshirë në një tentim vrasje në 2024-ën në Graçanicë. Ai mungoi edhe seancën e 1 korrikut 2024, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për t’ia revokuar masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro.
Por, Gjykata e Apelit pas kthimit dy herë në rivendosje, herën e tretë kishte vendosur të lë në fuqi masën e dorëzanisë, duke i besuar premtimeve të avokatit se Curri do paraqitej në seancën e sotme.
Në këtë rast, Ismet Osmani-Curri, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi”.