Lajmet e fundit

Analistët politikë Shkëlzen Maliqi dhe Halil Matoshi kanë vlerësuar se lideri i PDK-së, njëherësh zëvendëskryeministër i parë, Hashim Thaçi, mund të bëhet president i Republikës së Kosovës.
Sipas tyre, ai nuk do ta ketë problem aspektin kushtetues dhe çështjen e votave në Kuvendin e Kosovës, meqë në raundin e tretë i nevojitet shumica e thjeshtë. Megjithatë, ata kanë thënë se Thaçit mund t’i dalin pengesa të tjera në rrugën e tij drejt këtij posti.
Publicisti Halil Matoshi ka thënë të mërkurën për “Epokën e re” se lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, mund të bëhet president i vendit, meqë nuk do të ketë probleme në aspektin kushtetues dhe me votat në Kuvend por, sipas tij, mund të ketë pengesa të tjera gjatë procesit. “E para, Hashim Thaçi është kandidat i mundshëm për president dhe në aspektin kushtetues nuk ka ndonjë problem, pasi këtë ia lejon sistemi zgjedhor i presidentit të vendit, por edhe marrëveshja politike në mes të PDK-së dhe LDK-së. Po ashtu, mendoj se nuk do të ketë problem me votat në Kuvend sepse në raundin e tretë atij i duhen vetëm 61 vota. Mirëpo, Thaçit mund t’i dalin pengesa në rrugën e tij drejt këtij posti”, ka thënë Matoshi, duke shtuar se me Thaçin president Kosova nuk do ta arrijë dot unitetin, por do të shkojë kah përçarja edhe më e madhe.
Edhe analisti tjetër politik, Shkëlzen Maliqi, ka thënë për “Epokën e re” se do të zbatohet marrëveshja për bashkëqeverisje në mes të PDK-së dhe LDK-së, me ç’rast Hashim Thaçi do të bëhet president i vendit qoftë edhe në raundin e tretë. “Besoj se dy partitë kryesore të koalicionit do ta respektojnë marrëveshjen dhe se i kanë numrat e mjaftueshëm të votave për ta zgjedhur Hashim Thaçin kryetar, nëse jo në dy votimet e para, atëherë në votimin e tretë kur nevojitet shumica e thjeshtë. Megjithatë, procedurat e zgjedhjes i kanë edhe disa kurthe të tjera si, p.sh., prania në seancë e numrit të caktuar të deputetëve, ku bojkoti do të mund të luante rol recidiv”, ka vlerësuar Maliqi.