Lajmet e fundit

Një ish-supermodele e huaj që u martua me një miliarder është gati që të bëhet Zonja e ardhshme e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Melania Trump, e cila do të bëhet zonja e dytë e lindur jashtë vendit në historinë e SHBA-ve, do të marrë rolin shumë publik, pasi që e ka kaluar pjesën më të madhe të fushatës presidenciale të burrit të saj duke e shmangur atë dhe të qenit në qendër të vëmendjes. Ajo me këtë rast pati thënë se preferonte të qëndronte në shtëpinë e saj në New York për t'u kujdesur për djalin e vetëm të çiftit, i cili është 10 vjeçar, transmeton Klan Kosova. Ajo do ta pasojë Zonjën e parë aktuale të Amerikës, Michelle Obama, e cila ka marrë një rol shumë publik dhe aktiv në avokimin e çështjeve të shëndetit dhe mirëqënies.
Derisa, burri i saj i cili të martën fitoi besimin e amerikanëve për të qenë në krye të vendit, Donald Trump ka fyer në mënyrë të vazhdueshme kundërshtarët e tij në Twitter duke i thumbuar për dukjen dhe inteligjencën e tyre, gruaja e tij, Melanie u zotua për të luftuar poshtërsitë në internet, veçanërisht për "dukjen apo inteligjencën e të tjerëve "
"Nuk është në rregull, kur një vajzë 12-vjeçare apo djalë vihet në lojë, ngacmohet apo sulmohet. Është e tmerrshme kur ndodhë në park lojërash dhe kjo është absolutisht e papranueshme, kur ajo bëhet nga dikush me emër të fshehur në internet. Ne duhet të gjejmë një mënyrë më të mirë për të folur me njëri-tjetrin ", tha Melania Trump, në një fjalim të rrallë të mbajtur në Pensilvani javën e kaluar.
Derisa, axhenda e saj si zonjë e parë mund të ngjyrosohet me ironi, Melania Trump në shumë aspekte ishte një forcë ekuilibruese për burrin e saj - duke e qortuar atë privatisht kur durimi i tij mbaronte dhe ai vërsulej në sulmet në Twitter ndaj kundërshtarëve të tij politikë, Melania në kësi raste i kërkonte atij që të bëhej më "presidencial" në bisedat e tyre private, transmeton Klan Kosova.
Ajo ka shërbyer edhe si një simbolikë e kundërpeshës së retorikës së ashpër të burrit të saj për emigracionin.
Për vet faktin se ish-modelja e lindur në Slloveni ka thënë se pajtohet me propozimet e emigracionit të bashkëshortit të saj, Donald Trump, mbështetësit e tij kanë mbrojtur statusin e saj si një emigrante për të zmbrapsur sulmet e të tjerëve që Trump është anti-emigrant.
Melania Trump ka thënë se duke u bërë një qytetare e natyralizuar amerikane në vitin 2006, ka qenë "privilegji më i madh në botë."
Ajo do të bëhet zonja e dytë e lindur jashtë Amerikës, 192 vjet pasiqë Louisa Adams e lindur në Angli u bë zonja e parë.
Por historia e saj e emigracionit ka rrezikuar që të ndikonte edhe në fushatë pas raportimeve se ajo mund të ketë punuar si modele në Shtetet e Bashkuara para se të merrte dokumentet e duhura për të punuar ligjërisht në SHBA.
Ajo dhe avokati i saj kanë insistuar se Melania ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore.
Para fjalimit të saj të javës së shkuar, Melania Trump mbajti vetëm një fjalim të rëndësishëm e që ishte ai në Konventën Kombëtare Republikane para se burri i saj e pranoi nominimin për president.
Ani pse ky fjalim fillimisht u pranua mirë, më pas u venit nga polemikat pasiqë doli në dritë se disa pjesë të të tij ishin marrë nga ai i Michelle Obama në Konventën Kombëtare të Demokratëve në vitin 2008, njofton Klan Kosova.