Lajmet e fundit

Ambasada amerikane në Kosovë përmes një kumtese për media ka bërë me dije se përkrahin përpjekjet e presidentes Atifete Jahjaga për të kultivuar dialogun politik mes partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Kjo ambasadë poashtu iu ka bërë thirrje të gjitha partive që të heqin dorë nga çfarëdo kërcënimi me dhunë që siç thonë ata "është edhe i paligjshëm edhe i papërputhshëm me një shtet modern demokratik".
" Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm i Kosovës dhe funksioni i tij është jetik për demokracinë, përparimin, dhe sigurinë e Kosovës".
" Vetëm një Kuvend që funksionon mund të debatojë dhe miratojë masat që nevojiten për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës dhe për të siguruar që Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt integrimit Euro-Atlantik" thuhet ndër të tjera në njoftimin për media të kësaj përfaqësie diplomatike, transmeton Klan Kosova.