Lajmet e fundit

Kryeministri Isa Mustafa, u takua në Nju Jork, me zëvendës sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J. Blinken.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe ndihmës sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u bisedua për marrëdhëniet bilaterale si dhe mbështetjen e SHBA-ve për Republikën e Kosovës.
Zëvendës sekretari Blinken vlerësoi vendimet e fundit që janë marrë nga Kosova lidhur me Gjykatën Speciale, marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Zyrtari i lartë amerikan po ashtu shprehu përkrahjen e SHBA-ve për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INTERPOL, nënshkrimin e MSA-së dhe proceset tjera integruese në strukturat euroatlantike.
Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar shprehu mirënjohjen e Qeverisë për përkrahjen e pazëvendësueshme që SHBA-të dhe presidenti Barack Obama, po ofrojnë për Kosovën në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe aspektet tjera.
Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit bilateral me SHBA-të, transmeton Klan Kosova.