Lajmet e fundit
Aleksandar Vuçiq do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila është e para pas 7 dekadash e një kryeministri serb.

Vuçiq do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit rreth orës 11:00. Në 11:30 është parashikuar mbërritja e delegacionit në Pallatin e Brigadave, ku dhe do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes.
Më pas, për rreth 60 minuta, do të zhvillohet një takim mes dy kryeministrave, të cilët në orën 12:50 do të jenë para mediave në një konferencë të përbashkët për shtyp. Më pas kryeministri i Serbisë do të takohet me kryetarin e Parlamentit, Presidentin e Republikës dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëherazi dhe kreu i opozitës, takime këto që priten të përfundojnë rreth orës 17:15 minuta.
Vizita e Vucic në Tiranë, do të bllokojë pjesën më të madhe të segmenteve kryesore të kryeqytetit, ndaj policia këshillon drejtuesit e mjeteve, që të qarkullojnë në mënyrë të kufizuar gjatë ditës së sotme, por edhe nesër.
Gjatë orëve të mbrëmjes së të martës ka nisur marrja e masave nga Policia e Tiranës.
Policia e kryeqytetit shqiptar ka marrë të gjitha masat që vizita e kryeministrit serb në Tiranë të mos ketë asnjë incident.
Pothuajse të gjithë agjentët e antiterrorit do të jenë në terren, përfshirë këtu edhe ata të shërbimeve të inteligjencës.
Një numër i madh punonjësish të rendit, si edhe të qarkullimit rrugor do të jenë në rrugë për mbarëvajtjen e kësaj vizite.
Shërbimet inteligjente në vend nuk kanë dhënë asnjë informacion për ndonjë incident të mundshëm.