Lajmet e fundit

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, thotë se problemet e partisë së tij me LDK-në janë “të tejkalueshme” dhe ato lidhen kryesisht me bashkëpunimin e kësaj të fundit me PDK-në gjatë mandatit të kaluar qeverisës.
Në një intervistë për gazetën Jeta në Kosovë, Kurti tha se Vetëvendosje i mban dyert e mbyllura për PDK-në edhe në nivelin lokal, pavarësisht se ndonjë situatë mund të kërkonte koalicion pas zgjedhjeve të 22 tetorit. “Kush është i ndershëm brenda PDK-së e ka derën e hapur tek ne, por koalicion me atë subjekt nuk do të bëjmë”, tha Kurti në intervistën e realizuar me shkrim.
Përderisa e quan “të rëndomtë” një takim të tij si kryeministër me drejtues të shtetit të Serbisë, Kurti e quan “të vdekur” dialogun e Kosovës me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE.
"Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i para tre vjetëve praktikisht ka konsistuar në veton e PAN-it për të propozuar ata Kryetarin e Kuvendit. Atëherë, le ta bëjnë. Por, nuk po e bëjnë. As nuk po del në votim Veseli dhe as ndonjë tjetër. Ky bojkot Kuvendit e ky bllokim institucional është i pashembullt. Tashti, nuk na takon ne të sugjerojmë emra për PAN, pasi jemi subjekte të ndryshme. Ne flasim vetëm për subjektin tonë, dhe për ne nuk është çështje emrash, por çështje standardesh. Ne do të votojmë atë propozim i cili i përmbush standardet e pranueshmërisë nga palët, dhe që është figurë e respektuar politikisht e intelektualisht. Posti i Kryetarit të Kuvendit është shumë i rëndësishëm në një republikë parlamentare si puna e Kosovës, prandaj ne nuk do të votojmë asnjë figurë të dyshimtë, përçarëse, apo dikë që nuk ka formim së paku mesatar kulturor e intelektual".
"Çka na bashkon [me LAA-në] është nevoja e Kosovës për ndryshim rrënjësor. Kapja e shtetit ka pamundësuar zhvillimin ekonomik, luftën ndaj korrupsionit, ndërtimin e institucioneve demokratike, integrimet euro-atlantike. Tentakulat e oktapodit që ka kapur shtetin janë shtrirë kudo, prej ekonomisë familjare te shtresat e mesme e të ulta e deri te bizneset e vogla e të mesme që ballafaqohen përditë me falimentimin. Këta kanë kapur edhe gjykatat prej atyre të shkallës së parë e deri te Supremja e Kushtetuesja. Të kapur e kanë edhe policinë e prokurorinë, ku disa nuk guxojnë e një pjesë as që duan të merren me hetimin e arrestimin e kriminelëve të mëdhenj. Kështu që ka nevojë për ndryshim e për çrrënjosje të kapjes, kjo na bën që të kërkojmë bashkimin me të gjitha forcat që i rezistojnë krerëve të PDK-së dhe SHIK-ut."
"Çfarë na ndan është sigurisht historia e tyre e bashkëpunimit me PDK-në, por mendoj se kjo është e tejkalueshme nëse sot ata shfaqin vendosmëri për të ecur përpara, si dhe sinqeritet e besnikëri në bashkëpunimin me ne. Kur je i vendosur për të ecur përpara, theksohet e përbashkëta. Kur frikësohesh nga ndryshimi ose je rehat në status quo, atëherë hulumton për të gjetur dallimet".