Banorët e fshatit Zllapek të Pejës i janë drejtuar redaksisë së Klankosovat.tv, për të shprehur një problem shumë serioz dhe afatgjatë të rrjetit elektrodistributiv.
Në ankesën e tyre, banorët thonë se shtyllat dhe instalimet elektrike në fshat janë rreth 60 vjet të vjetra dhe ndodhen në gjendje tepër të amortizuar dhe të rrezikshme.
Linja elektrike, sipas tyre, është afërsisht 3 kilometra e gjatë, dhe përgjatë gjithë kësaj distance vetëm rreth 7 shtylla janë ende në këmbë, ndërsa të tjerat janë të kalbura, të dëmtuara ose të rrëzuara.
“Në disa vende, kabllot elektrike ndodhen direkt në tokë, gjë që paraqet rrezik të menjëhershëm për goditje elektrike dhe zjarr”, thonë banorët për klankosova.tv.
Për më tepër, banorët theksuan se merren me blegtori, dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike po përbëjnë një problem serioz për punën e përditshme dhe mbijetesën e familjeve.
“Megjithëse energjinë elektrike e paguajmë rregullisht, edhe pse është jashtëzakonisht e shtrenjtë, gjendja nuk përmirësohet. Theksojmë gjithashtu se një fazë nuk është funksionale tashmë rreth 4 muaj, gjë që e pamundëson përdorimin normal të energjisë elektrike”, ankohen të njëjtit.
Të njëjtit thonë se janë drejtuar disa herë te shërbimet përgjegjëse. Sipas tyre, ekipet dalin në terren, vetëm e konstatojnë gjendjen, por nuk ndërmarrin asnjë masë konkrete, dhe problemi mbetet i pazgjidhur. ‘Situata mbetet e njëjtë, ndërsa rreziku rritet çdo ditë’.
“Për shkak të rrezikut serioz për jetën e njerëzve, fëmijëve, bagëtive dhe pronës, kërkojmë reagim urgjent, zgjidhje të përhershme të problemit dhe sanimin ose zëvendësimin e plotë të rrjetit elektrodistributiv të amortizuar”, bëjnë thirrje banorët.
Ata thonë se nëse ky problem vazhdon të injorohet, do të detyrohen ta raportojnë rastin në polici dhe te inspektoratet kompetente, “pasi ekziston një rrezik real dhe i vazhdueshëm për pasoja të rënda”.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.